Vdekja e turistit anglez në Durrës, arrestohet ofruesi i jetskive në plazh

Nga Elitjona Doko
2 Qershor 2025, 11:59 | Kronikë

Vdekja e turistit anglez në Durrës, arrestohet ofruesi i jetskive

Policia e Durrësit ka vënë në pranga ofruesin e jetskive në plazh, pasi një ditë më parë humbi jetën një turist anglez.

Sipas informacioneve për A2 CNN ai ushtronte aktivitetin e motoskive pa dokumentacion të plotë dhe nuk i ka siguruar veshjet e sigurisë përdoruesve të mjeteve të ujit.

Sipas policisë, turistët që kishin ardhur për pushime në Shqipëri, morën motorët e ujit dhe kryen manovra shpejtësie në det, jo shumë larg bregut. Gjatë manovrave, dy prej tyre ranë nga jetski, ndërsa skena u vu re nga pushuesit në breg, të cilët njoftuan policinë.

Një shtetas anglez 34-vjeçar, humbi jetën në këtë incident, ndërsa një 31-vjeçare fatmirësisht shpëtoi.

Dyshimet fillestare për vdekje nga hipotermia janë përjashtuar, pasi turistët qëndruan pak minuta në ujë. Megjithatë, ende pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes, ndërkohë që nuk përjashtohet as mundësia që ai të ketë pësuar arrest kardiak për shkak të lodhjes gjatë tentativës për shpëtim nga mbytja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos