Zbardhen dhe dokumentohen rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku një 15-vjeçar u plagos me armë zjarri gjatë një konflikti në ambientet e një picerie.
Policia bën me dije se pas hetimeve intensive është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta në një piceri në lagjen “Ali Demi”. Pas të shtënave, autori është larguar, ndërsa viktima, një i mitur, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.
Në përpjekje për të fshehur gjurmët e ngjarjes, 3 punonjës të picerisë – F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç – janë arrestuar pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr sistemin DVR të kamerave të sigurisë. Ata akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Po ashtu, është shpallur në kërkim administratori i lokalit, L. M., 24 vjeç, për të njëjtat akuza.
Policia njofton se është regjistruar procedim penal edhe për një shtetase 15-vjeçare, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pa dhënë detaje të mëtejshme për rolin e saj në ngjarje.
Hetimet vijojnë për kapjen e autorit të plagosjes dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes që tronditi zonën e “Ali Demit”. (A2 Televizion)