Vrasja në Tale për hakmarrje, shpallet në kërkim i dyshuari që ekzekutoi Pjetër Kazën

Nga Xhensila Kodra
2 Qershor 2025, 14:56 | Kronikë

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së 57-vjeçarit Pjetër Kaza, mëngjesin e të dielës në Tale të Lezhës. Policia ka nisur kërkimet për kapjen e një shtetasi, që për shkak të sekretit hetimor nuk bëhet i ditur emir por vetëm inicialet e G.A.

Sipas burimeve, identifikimi është bërë i mundur nga mbledhja e provave në vendngjarje. Në polici fillimisht u shoqëruan mbi 10 persona, mes të cilëve edhe pjesëtarë të Fisit Gjini, me të cilët familja Kaza ka konflikte të hershme, shkruan A2 CNN. I kërkuari, sipas policisë, dyshohet të jetë personi që qëlloi 57-vjeçarin Kaza, sapo ky i fundit zbriti nga makina për të hapur portën e shtëpisë e të futej në oborr.

Pjetër Kaza dyshohet të jetë vrarë me armë automatike me silenciator dhe të jetë mbajtur nën vëzhgim nga atentatori. Shkak për vrasjen e tij dyshohet se lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit. Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit. Për këtë krim ai u dënua me 22 vite burg.

Saga kriminale vijoi më tej. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Por, konflikti duket se nuk u mbyll me kaq, teksa në orët e para të datës 1 qershor u vra vëllai tjetër i familjes, Pjetër Kaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos