Dështoi në korrik, Veliaj "troket" sërish për liri në Gjykatën e Lartë

Nga Armand Bajrami
11 Shtator 2025, 15:24 | Kronikë

Kryebashkiaku në detyrë i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, “troket” për të dytën herë në Gjykatën e Lartë me një kërkesë për liri. Pas refuzimit që mori nga kjo gjykatë më 8 korrik, Veliaj ka depozituar një tjetër rekurs, që ka në thelb synimin e tij për zbutje të masës “arrest në burg”.

Këtë herë, kryebashkiaku, i izoluar në paraburgim prej 10 shkurtit, kërkon të shfuqizojë vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 8 qershor, që e la në fuqi masën shtrënguese ndaj tij, shkruan A2 CNN.

Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Lartë, Kolegji Penal që do të shqyrtojë kundërshtimin e Veliajt do të relatohet nga gjyqtarja Albana Boksi. Bashkë me kryebashkiakun, në të njëjtën çështje kërkon ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” edhe biznesmeni Elman Abule.

Në të njëjtën ditë që Gjykata e Lartë ka regjistruar si çështje betejën e radhës të kryebashkiakut Veliaj për liri, dosja penale e SPAK ndaj tij dhe 29 të bashkëpandehurve u depozitua në Gjykatën e Posaçme. Të enjten, shorti elektronik i kësaj gjykate përzgjodhi gjyqtaren Etleva Deda si “toga e zezë” që do të bëjë shqyrtimin paraprak të kërkesës së SPAK për kalimin ose jo në gjykim të kryebashkiakut dhe të bashkëpandehurve.

Referuar dosjes së depozituar nga SPAK, kryebashkiaku Veliaj akuzohet për pesë vepra penale: “korrupsion”, “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë”, “futje të sendeve të ndaluara në burg”, si dhe “shpërdorim detyre”, të konsumuara veçmas në 13 episode kriminale.

Të bashkëpandehur me të janë edhe 17 individë, mes të cilëve bashkëshortja Ajola Xoxa, deputetja e PS-së Klotilda Bushka dhe shtatë biznesmenë, si edhe 12 shoqëri tregtare dhe OJF të marra të pandehura si persona juridikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos