Agjentët e Antidrogës në Tiranë arrestojnë dy të rinj, të cilët po transportonin në makinën e tyre luksoze mbi 1 kg kokainë.
Në pranga u vunë 24-vjeçari Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi 20 vjeç. Ata u kapën në afërsi të kthesës së Kamzës, ndërsa iu sekuestrua dhe lënda narkotike me një vlerë në treg prej 270 mijë eurosh.
Dy të rinjtë mbaheshin nën vëzhgim prej të paktën 6 muajsh. Ata dyshohet se prej një kohe të gjatë funksiononin si shpërndarës dhe furnizues të drogave të forta kryesisht në zonën e ish-Parkut, por edhe në zona të tjera në kryeqytet.
I arrestuari Klajdi Serjani është nipi i Pajtim Serjanit, ky i fundit person i skeduar nga policia për gjobvënie dhe i njohur si mik i Emiljano Shullazit.
Operacioni antidrogë u kodua me emrin “Fam Fanz” për shkak të mbishkrimeve të njëjta mbi pakon me drogë. Nipi i Pajtim Serjanit reklamonte jetën e tij të luksit në rrjetet sociale duke treguar automjete të shtrenjta, tufa eurosh si dhe jetën e natës në vende luksi.
Ndërsa 20-vjeçari Euxhenho Manushi është djali i muzikantit Adriano Manushi.
Përveç pakos me kokainë, u sekuestrua një shumë parash dhe celularët e dy të arrestuarve. Hetimet janë përqendruar edhe tek persona të tjerë që dyshohen të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)