Një efektiv i policisë së Elbasanit është përballur me një situatë të pazakontë në mesnatë. Sipas policisë, ai ishte jashtë orarit të punës, por ka konstatuar një person të armatosur në lagjen “Luigj Gurakuqi”, shkruan A2.
Sipas policisë, në momentin e konstatimit, shtetasi i armatosur ka kanosur punonjësin e policisë, për ta vrarë. Fatmirësisht, efektivi jashtë shërbimi ka njoftuar edhe patrullën Shqiponja dhe ka bërë të mundur arrestimin e 26-vjeçarit të armatosur, raporton A2.
"Qarkullonte i armatosur me pistoletë, në mesnatë, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, konstatohet nga një punonjës policie që ishte jashtë orarit të shërbimit.
Në momentin e konstatimit, shtetasi i armatosur ka kanosur punonjësin e Policisë, për ta vrarë.
Falë veprimeve profesionale të punonjësit të Policisë dhe mbërritjes në kohë të Patrullës së Përgjithshme dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, që ishin në patrullim në qytet, të cilat ishin njoftuar nga punonjësi i Policisë, është neutralizuar dhe arrestuar 26-vjeçari.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës “ dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpëthyese dhe municionit luftarak”, raporton policia. (A2 Televizion)