Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndërmarrë një operacion në kuadër të hetimit të dosjes së AKSHI-t, me kontrolle në ambiente private në pronësi të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Sipas raportimit live të gazetarit të A2 CNN, Armand Bajrami, oficerë dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga Policia e Shtetit, kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente private të Prodës. Kontrollet dyshohet se synojnë gjetjen e provave që mund t'i shërbejnë hetimit.
Në të njëjtën dosje raportohet se Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
SPAK nuk ka publikuar ende një njoftim zyrtar për operacionin, masat e sigurisë apo veprat penale për të cilat dyshohen personat e përfshirë.
Në kuadër të dosjes së AKSHI-t, më herët janë marrë masa sigurie ndaj disa personave, mes tyre ish-drejtores së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Masa ndaj Vlora Hysenit është një zhvillim i rëndësishëm për shkak të funksionit që ajo mban në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit. Hyseni e drejton SHISH-in prej rreth tre vitesh. Ende nuk dihen veprat penale konkrete për të cilat dyshohet drejtuesja e SHISH-it dhe as rrethanat që kanë çuar Gjykatën e Posaçme në caktimin e masës së sigurimit.
Edhe për Ilir Prodën nuk janë bërë publike deri tani dyshimet konkrete të SPAK. Kontrollet në ambientet private të ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit janë kryer në kuadër të të njëjtit hetim. Proda kishte qenë më herët subjekt i një kontrolli të telefonit të tij celular, përpara se të merrte detyrën e drejtuesit të Policisë së Shtetit.
Operacioni i SPAK është ende në zhvillim dhe nuk përjashtohet mundësia e ekzekutimit të masave të tjera të sigurisë ndaj personave të tjerë. (A2 Televizion)