Një ditë pas vrasjes së Artan Myrtajt, policia dhe prokuroria po hetojnë si pistë kryesore hakmarrjen. Mësohet se kontrolle të shumta janë zhvilluar në qytetin bregdetar, por edhe në Tiranë dhe Kamëz.
Verifikimet po vazhdojnë edhe në kamerat e sigurisë, në përpjekje për të rindërtuar rrugën që kanë ndjekur autorët.
Me shpresën për gjurmë të mbetura, ekspertiza po analizon gjithashtu 16 gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se ato u përkasin dy armëve të ndryshme.
Zanafilla e konfliktit dyshohet se lidhet me një ngjarje të korrikut të vitit të kaluar, kur u plagosën dy të rinj nga Kamza. Tre muaj më vonë u vra Isuf Jaçaj, babai i njërit prej personave të përfshirë në atë përplasje dhe ky Myrtaj u akuzua për përkrahje të autorit të plagosjes.
Murtaj kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu. Hetuesit dyshojnë se autorët e kishin mbajtur nën vëzhgim. Gjatë ngjarjes mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili mësohet se ishte kalimtar i rastit.
Një nga masat e marra është edhe nisja e verifikimeve në Komisariatin e Policisë së Sarandës, pas disa ngjarjeve të rënda të regjistruara brenda një periudhe të shkurtër. Për mediet u bë e ditur se një grup i posaçëm do të kalojë në filtër të gjitha veprimet e kryera.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se në këtë proces janë angazhuar ekspertët më të mirë. Do të vlerësohet jo vetëm performanca e drejtuesve të komisariatit, por edhe ajo e të gjithë efektivëve. (A2 Televizion)