Ish-Presidentit Ilir Meta iu komunikua sot mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Meta qëndron prej 9 muajsh ne paraburgim, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Avokati mbrojtës Kujtim Cakrani tha se nuk ka asgjë të re nga dosja CEZ -DIA në hetimin prej gati 7 vjetësh. Sipas tij SPAK nuk ka asnjë provë kundër Ilir Metës.
“Edhe pas 6 vitesh për çështjen CEZ-DIA nuk ka asnjë gjë të re për çështjen CEZ-DIA apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar nga prokuroria hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat. Prokurorja nuk ka informacion nga kanë dalë pagesat, nga cila bankë kanë hyrë dhe nga cila llogari. Kjo ka qenë arsyeja përse jemi zgjatur shumë. Meta ka shpjeguar me detaje 3 akuzat për të cilat akuzohet. Ka qenë seancë e qetë, deri miqësore. Ne duam të dimë kush e ka bërë lobimin dhe kush i ka bërë pagesat e. CEZ-DIA akuzë e rëndë sepse nuk vërtetohet që z Meta të ketë të ardhura e të ketë grumbulluar pasuri. S’ka prova që të vërtetohet se rëndojnë akuzat mbi z. Meta. Nuk ka fakt penal. Organi i procedurës thotë që ta zgjidhim në gjykatë. Do shkojmë në gjykim të zakonshëm”, deklaroi avokati i Metës. (A2 Televizion)