Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK të hetojë mbi një kallëzim penal të bërë nga Alfred Beleri kundër ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist, Artan Gaçi.
Gjyqtarja ka pranuar ankimin e bërë nga Beleri kundër vendimit të SPAK për mosfillim të procedimit penal ndaj Xhaçkës dhe Gaçit. Sipas GJKKO, SPAK duhet të regjistrojë procedim penal dhe të hetojë për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve", "pastrimit të parave" dhe "shpërdorimit të detyrës".
Akuzat lidhen me dhënien e një prone që, sipas Belerit, është tjetërsuar dhe më pas është shitur Artan Gaçit. Ky proces ka përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve që i dhanë një sipërfaqe prej 5512 metra katrorë tokë, që fillimisht ishte regjistruar si tokë truall dhe më pas u shpall tokë bujqësore, për t'u shitur më tej.
Ndërkohë, në 13 mars, Gjykata e Posaçme ka dënuar Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e Himarës, me 3 vite e 1 muaj burg për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Dënimi është ulur në 2 vite e 20 ditë pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Arsyetimi i GJKKO:
"Gjykata çmon se, kallëzimi i shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale "falsifikimi dokumentave", dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale" kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës" i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisios Alfred Beleri. Për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj. Në rastin konkret Prokuroria Posaçme duhet të regjistrojë procedim e penal dhe te vazhdojë hetimet mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr.81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut, Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP, Vlorë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mehilli dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, dhe mbi këtë pronë pasi është blerë, është marrë statusi investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin publik të deputetes. Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore". (A2 Televizion)