Në gjykatën e Posaçme vijon gjyqi për dosjen Gërdeci, ku pas përfundimit të seances ish-ministri i Mbrojtjes Fatmit Mediu i cilësoi si aludime, provat e prokurorisë. Sipas tij në analizën që u bëhet këtyre provave nuk ka asnjë element të veprës penale që lidhen me funksionin e ministrit të mbrojtjes.
“Ne po vazhdojmë analizën e atyre që konsiderohen si prova të prokurorisë që janë tërësisht aludime, që nuk lidhen as me detyrat dhe as me funksion ministrit. Pra tek ideja kush ka përcaktuar kalibrat, si është përcaktuar transporti dhe duhet t'i japësh përgjigje aludimeve të cilat ndonjëherë bëhen më të vështira për faktin sepse prokuroria nuk ka përcaktuar se ç’ akt ligjor ka shkelur ministri apo kush është veprimi i paligjshëm i ministrit. Pra duket sikur ideja e prokurorisë është që domethënë ka një mirësi mbrojtje që ka pasur vetëm njeri. Ky duhet të ishte shofer, duhet të ishte inspektor, duhet të ishte magaziner municioni, duhet të ishte jurist e duhet t'i kishte që të gjitha gjërat, të cilat sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave që është ligji 9.000, ministri në aktivitetin e vetë bazohet tek stafi i ministrisë qoftë ky ushtarak qoftë edhe ky civil. Për më tepër ka dhe një rregullore në mënyrën se si veprohet për iniciativat që dërgojnë në qeveri apo iniciativat që ndërmerren akte ligjore në ministri. Momenti tjetër që po ashtu krijon një lloj absurditeti është fakti sepse urdhrat administrative të ministrit, se është shumë teknike do merren dhe spostohen nga të gjithë normat e tjera të cilat kanë qenë norma rregullatorë, apo vendime qeverie dhe të cilat janë të detyrueshme për zbatim. Një urdhër ministri sidomos administrativ, nuk zëvendëson asnjë lloj akti normativ, asnjë vendim qeverie dhe asnjë ligj. Kur ligji është përcaktuar për t'u zbatuar, ka përcaktuar se kush e zbaton. Kur vendimi i qeverisë përcakton zbatimin, ka përcaktuar kush janë institucionet që e zbatojnë. Urdhri i ministrit përcakton kush e zbaton dhe kush e ndjek këtë procedurë. Pra jemi në këtë lloj diskutimi. Qëndrohet te kalibrat, transporti, aktet administrative për të gjetur element veprës penale, por që s'kanë asnjë lidhje me ministrin e Mbrojtjes”. (A2 Televizion)