Gjykata e Posaçme u detyrua të shtyjë për më 25 nëntor seancën paraprake ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Partizani”. Sipas avokatit të Berishës, Genci Gjokutaj, shkak u bë shkelja nga gjykata e afatit për njoftimin e palëve nga dita e shortimit e regjistrimit të çështjes, por edhe volumi i jashtëzakonshëm i dosjes.
Seanca është caktuar para 10 ditëshit që ne kemi në dispozicion për të njohur aktet. Por mos harroni që janë 160 mijë faqe, tha Gjokutaj, transmeton A2.
Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi nuk u paraqitën në seancën ku u përfaqësuan me avokatë. Për Berishën i pranishëm ishte edhe avokati Sokol Mëngjesi, i cili iu rikthye gjyqeve pas rikuperimit të plotë nga sulmi i dhunshëm fizik që pësoi majin e këtij viti. Për Gjokutajn synimi i ish-kryeministrit në gjykimin paraprak është vetëm një.
“Sigurisht që ne do të kërkojnë pushimin e çështjes. Pastaj vendimmarrja është e gjykatës”, tha avokati.
Në shqyrtimin paraprak gjykata vendos nëse do të kalojë për gjykim dosjen, do ta kthejë përplotësim të hetimit, apo do ta pushojë. Nga ana e tij, SPAK kërkon gjykimin e Sali Berishës për “korrupsion” të kryer gjatë procedurës së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” dhe shtatë të bashkëpandehurve të tij për “korrupsion” e “pastrim parash”. (A2 Televizion)