Pak orë pasi Ilir Meta hipi në furgonin e togës së shoqërimit me statusin e të paraburgosurit për të përfunduar në godinën e paraburgimit “Jordan Misja”, ish-Presidentit i ka shkuar për vizitë avokati i tij mbrojtës.
Genc Gjokutaj është fotografuar duke hyrë në Burgun 313, në kryeqytet, për t’u takuar me banorin më të ri të godinës, shkruan A2.
Gjykata e Posaçme la mbrëmjen e djeshme në fuqi masën “arrest në burg” të dhënë më herët ndaj Metës, pas dyshimeve të SPAK se Presidenti i Partisë së Lirisë në disa episode në detyrat shtetërore që ka mbajtur është korruptuar, ka pastruar para dhe ka fshehur pasurinë.
Ilir Meta mbërriti në seancën e djeshme me pranga dhe përballë prokurorëve, Altin Dumani, Arben Kraja e Sotir Kllapi, por me xhamin e kafazit të sallës në mes, ish-presidenti shpërtheu në akuza, kur një nga prej tyre relatoi se arrestimi i tij ishte kryer konform ligjit, raporton A2.
“Kujt i flet për normalitet ti e zbatim ligji, mua më tërhoqën zvarrë. Më keni arrestuar me urdhër të narko-shtetit”, mësohet të ketë pohuar me tone të larta Meta.
Me tej, sipas burimeve, ai hodhi akuza ndaj trupës së prokurorëve, pa kursyer as etiketimet “Dum duman” apo “sorosistë”. Veç tensionit ndaj prokurorëve, jo pak tension është ndjerë në sallë edhe mes Metës dhe Monika Kryemadhit. (A2 Televizion)