Gazetari Roland Qafoku ka ndarë në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN shqetësimin për mos bashkëpunimin e policisë me komunitetin, por edhe për mos marrjen e asnjë mase pas deklaratës së bujshme në parlament të Altin Dumanit, i cili tha që drejtues të policisë së shtetit janë të lidhur me krimin.
“Ç’është kjo shkëputje e policisë me komunitetin. Nëse nuk ke bashkëpunim me komunitetin me kë të ke? Me krimin. Ajo që ka thënë drejtuesi i SPAK që drejtues të policisë së shtetit janë të lidhur me krimin, e tha në parlament. Puna është a ka marrë ndonjë masë pas kësaj? As u shkarkua njeri, asgjë. Ata nuk bëjnë asnjë konferencë për shtyp, jo të vijnë në studio”.
Të njëjtin shqetësim ndau në Off the record me Andrea Dangllin në A2 CNN edhe ish-ministri i Rendit Bajram Yzeiraj.
“Ne na takon që politikat e qeverisjes që ti bëjmë debat. Qeverisja është e të gjithë shoqërisë dhe duhet të jesh transparent, nuk mund ta privatizosh ti. Kur Dumani bëri atë kritikën e ashpër më pas hodhi bombën tjetër ai; që ka rënie të kallëzimeve të policisë për krimin e organizuar. Të dyja janë të rënda”. (A2 Televizion)
