Gjykata e Tiranës vendosi të lerë të pa ndryshuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Andrew Bode, siç raporton A2.
Gjatë seancës, Bode ka mohuar akuzën, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Edmond Papës.
I pyetur nga gjykata se përse i është fshehur drejtësisë, ai ka pohuar se nuk kishte pasur besim tek drejtuesit e policisë, pasi, sipas tij, ata merrnin indikacione nga Dubai.
RENEA dhe policia e Gjirokastrës arrestuan Endrju (Andrew) Boden, i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës. Nga operacioni "Plani" u arrestuan gjithashtu edhe Julian Kalemi dhe Andrea alias Adriatik Kalemi. Babai i këtij të fundit u vra në korrik të këtij viti në Memaliaj. Bode, i njohur si njeri me rrezikshmëri shoqërore, u arrestua në shtëpinë e Kalemajve në Memaliaj.
Gjatë operacionit në Memaliaj u vu në pranga dhe Andrea alias Adriatik Kalemi. Gjatë kontrollit në shtëpi u gjet armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, rreth 40 mijë euro, 438 mijë lekë të rinj dhe 3470 dollarë.
“Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë. Shtetasi A. K., 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", njofton Policia.
Ngjarja ndodhi në dhjetor të dy viteve më parë, ku Bode në bashkëpunim me dy të tjerë qëlloi për vdekje 49-vjeçarin Edmond Papa. Njëri prej tyre u arrestua në janar të 2023-shit. Papa sapo kishte dalë nga banesa e tij në Selitë të Tiranës dhe i është drejtuar një kafeneje të zonës në momentin e vrasjes. 49-vjeçari ishte pronar i një hoteli në Sarandë dhe ishte person i skeduar më parë nga policia në fushën e narkotikëve. (A2 Televizion)