Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në konferencën e sotme për mediat njoftoi finalizimin e një operacioni për arrestimin e Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes.
“Policia e Shtetit ka bërë të mundur sot arrestimin e dy eksponentëve të krimit të organizuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatave kriminale, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe. Ky lloj bashkëpunimi është produkt i mundit, përkushtimit dhe gjakut të këtyre djemve dhe vajzave në strukturën e policisë së shtetit por edhe bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara për operacionin e fshehtë të policisë. Dy emrat të cilët përmenda mund t’ju themi që është bërë ekzekutimi i vendimit të tyre dhe ata ndodhen pranë dhomave të sigurisë të Drejtorisë së Policisë Tiranë për vënien në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme.”
Plarent Dervishaj, i njohur si kunati i ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha, është një nga të akuzuarit e SPAK për atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Tentativa e dështuar për të vrarë prokurorin Ndoj, i cili udhëtonte në makinë me të fortin e Sukthit, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), i njohur si 'Rrumi i Shijakut', ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019. Në këtë atentat mbeti i vdekur shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës.
SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.
Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.
Në grupin e personave të akuzuar bëjnë pjesë të dënuarit Redian Rraja dhe Arjol Halilaj, ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. (A2 Televizion)