Dumani i “faturoi” urdhër për vrasje, Apeli ashpërson dënimin, kthen në qeli avokatin Bengasi

Nga Armand Bajrami
7 Nëntor 2024, 20:03 | Kronikë

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të ashpërsojë dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë ndaj avokatit Alban Bengasi, i akuzuar nga SPAK për “dhunë në familje” e “grup të strukturuar kriminal”.

Avokati Bengasi u vu në “shënjestrën” e SPAK pas deklarimeve të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, që pretendoi se Bengasi i kishte ofruar 120 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes.

Denimi i ri në Apel, që detyron kthimin në qeli të avokatit të liruar nga burgu në muajin korrik u shpall nga një kolegj penal i përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja, Dhimitër Lara dhe Engert Pëllumbi.

Ndryshe nga Shkalla e Parë, qe e fajësoi Bengasin vetëm për dhunën e porositur ndaj ish-bashkëshortes, Apeli vlerësoi se ai është fajtor për të dy akuzat dhe se për dhunën ka vepruar në formën e grupit kriminal dhe se duhet të dënohet me 7 vjet burg.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar ndaj tij shkoi në 4 vjet e 8 muaj burg. Në Shkallën e Parë, në maj të këtij viti, Bengasi u dënua me 1 vit e 4 muaj, dënim që u përfundua prej tij në muajin korrik.

Pasi u shpall në kërkim, Bengasi qëndroi për 16 muaj në arrati në Dubai, nga ku u kthye me dëshirën e tij.

Gjatë gjykimit ai mbajti qëndrim mohues ndaj akuzave të SPAK, duke mohuar thëniet e të penduarit të drejtësisë, me pretendimin se me ish-bashkëshorten kanë një marrëdhënie normale, pavarësisht se janë të divorcuar.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos