Kreu i SPAK, Altin Dumani, i ka dhënë një mesazh të qartë politikës shqiptare teksa nënvizoi se rekomandimet e dërguara përmes Kuvendit nuk janë detyruese për prokurorët e posaçëm, sidomos kur ato janë qëllimisht të paqarta apo të njëanshme. Gjatë një tryeze diskutimi kushtuar balancës mes pavarësisë dhe raportimit të SPAK, Dumani theksoi nevojën për propozime konstruktive duke ruajtur pavarësinë e institucioneve.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Altin Dumani, i bëri të qartë politikanëve shqiptarë se asnjë rekomandim i tyre dërguar me anë të Kuvendit, nuk ndikon në qëllimin apo në punën e përditshme të SPAK, përveç rasteve kur ato konsiderohen konstruktive dhe të argumentuara siç duhet. Kjo deklaratë u bë gjatë një tryeze dedikuar ruajtjes së balancës mes pavarësisë së institucionit dhe llogaridhënies, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të zhbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese”, u shpreh Dumani.
Kryetarja e Kuvendit u duk sikur ngriti duart lart, teksa afirmoi mbështetjen parlamentare për punën e SPAK-ut, edhe në aspektin financiar.
“Kuvendi ka qëndruar dhe do të jetë në mbështetje të SPAK, jo mbi të, jo përpara tij, por përkrah tij. Kuvendi ka miratuar pa asnjë hezitim kërkesat për mbështetje me burime financiare, materiale e njerëzore për SPAK-un dhe organet e tjera të sistemit, duke i vlerësuar ato si nevoja prioritare”.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke vlerësuar punën e SPAK, nuk nguroi të pohonte se llogaridhënia nuk duhet parë si kërcënim.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”.
Në tryezë, ambasadori suedez dhe ai i BE-së theksuan nevojën për më shumë përparim në reformën në drejtësi, duke vlerësuar lart punën e SPAK-ut.
Një tjetër problematikë e ngritur në këtë forum lidhej me fatin e prokurorëve të posaçëm në përfundim të mandatit 9-vjeçar, çështje për të cilën Dumani kërkoi një përgjigje zyrtare.
(A2 Televizion)