Është shuar pas 7 ditësh zjarri në fushën e grumbullimit të mbetjeve në qytetin e Elbasanit, ndërsa këtë të martë ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ai i kërkoi gazetarëve fillimisht të jenë të kujdesshëm me termat teksa u pyet: “A nuk duhet të ishin marrë këto masa më përpara, në mënyrë që të parandalohej kjo katastrofë mjedisore në Elbasan?”
“Do të doja të ishit të kujdesshëm me konceptet dhe terminologjinë që përdorni”, tha ministri Vengu.
Më tej, ai theksoi se janë bërë matjet për gazra dhe ka rezultuar dioksid karboni në sasi të larta, për të cilin ministri tha se më i dëmshëm ka qenë për personelin e ekspozuar aty.
“Ka qenë një situatë aspak e dëshiruar nga ana mjedisore. Ka dy elementë, sa i përket elementëve të gazrave, kemi pasur dioksid karboni, patjetër i dëmshëm në masa të mëdha, i cili më i dëmshëm ka qenë për personelin e ekspozuar aty.
Kjo nuk do të thotë se ne duhet të vetëkënaqemi në situata të tilla. Duhet patjetër t’i parandalojmë, po i bëjmë së bashku me Ministrinë e Brendshme”, tha Vengu. (A2 Televizion)