Një operacion i rëndësishëm ndërkombëtar kundër krimit të organizuar është finalizuar mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve finlandeze.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se ky hetim përfaqëson një moment kyç për strukturën që ai drejton, pasi është hera e parë që krijohet një njësi hetimore e përbashkët mes Shqipërisë dhe Finlandës.
“Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi i organizuar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën. Na është dhënë mundësia të godasim disa grupe kriminale të trafikut të drogës, përfshirë kokainë, drogë sintetike dhe marijuanë. Rezultatet janë fryt i një pune të gjatë dhe të përbashkët”, u shpreh Dumani në konferencën për media.
Ndërkohë, prokurori i posaçëm Arben Kraja bëri të ditur se hetimi nisi në Shqipëri, pas informacionit të ardhur në mënyrë spontane nga autoritetet finlandeze, që kishin identifikuar shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në territorin e tyre.
“Brenda 2-3 muajve u ngrit struktura e përbashkët hetimore dhe, pas dy vitesh punë intensive e shkëmbim informacioni, arritëm në këtë rezultat. Aktiviteti kriminal shtrihej nga Shqipëria drejt Finlandës dhe nga Spanja drejt Finlandës”, tha Kraja.
Ai theksoi më tej se ky bashkëpunim shënon një model të ri të luftës kundër krimit të organizuar transnacional dhe rrit besimin e partnerëve ndërkombëtarë në institucionet shqiptare të drejtësisë.
(A2 Televizion)