Dyshohet se do të përdorej për ngjarje kriminale, parandalohet vjedhja e një automjeti në Vlorë

Nga A2 CNN
5 Janar 2025, 11:00 | Kronikë

Dyshohet se do të përdorej për ngjarje kriminale, parandalohet

Policia e Vlorës ka parandaluar vjedhjen e një automjeti në fshatin Panaja, i cili dyshohet se do të përdorej për ngjarje kriminale. Efektivët e policisë arrestuan 31-vjeçarin Gentjan Merkaj, i cili kishte precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes.

Merkaj tentoi të vidhte automjetin tip “Ford Focus” duke përdorur karroatrecin e tij në fshatin Panaja. Ndërkohë Policia gjeti dy targa të një automjeti tjetër, të cilat dyshohet se ishin vjedhur një ditë më parë në qytetin e Vlorës.

“Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në fshatin Panaja, gjatë mbrëmjes së djeshme, duke tentuar të vidhte një automjet tip “Ford Focus” me anë të karroatrecit të tij. Gjatë kontrollit të karroatrecit, Policia gjeti dy targa të një automjeti tjetër, të cilat dyshohet se ishin vjedhur një ditë më parë në qytetin e Vlorës. Karroatreci, së bashku me targat e dyshuara si të vjedhura, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

A2 CNN mëson se ka dyshime që automjeti nëse do të vidhej do të përdorej më pas në ngjarje kriminale në qytet. Për këtë arsye ishin vjedhur edhe të tjera targa për ta bërë gati për ngjarje tjetër kriminale.

“Vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për përcaktimin e qëllimit dhe përdorimit të mundshëm të automjetit që ishte objekt vjedhjeje, si dhe për lidhjet e mundshme të autorit me veprimtari të tjera të paligjshme”.

Gentjan Merkaj rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale "Vjedhja" Në datën 24 Prill 2023 ai është arrestuar për vjedhjen e pjesëve të automjeteve. Më konkretisht ka vjedhur 20 pasqyra automjetesh në qytet.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos