Dy shtetas në Vlorë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohen se kanë vjedhur një shumë prej 500 euro, një aparat celular Samsung dhe një dokument udhëtimi në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja, njëra kolumbiane dhe tjetra venezueliane.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Komisariati i Policisë Vlorë, falë veprimeve të shpejta hetimore, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. T., 39 vjeç, dhe K. B., 41 vjeç, të dy banues në Vlorë. Këta shtetas dyshohen se më datë 06.12.2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja, njëra kolumbiane dhe tjetra venezueliane, një shumë prej 500 euro, një aparat celular Samsung dhe një dokument udhëtimi. Vijon puna për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes. (A2 Televizion)