BKH "vizitë" në shtëpi, SPAK i merr celularin bashkëshortes së Erion Veliajt

Nga Armand Bajrami
6 Dhjetor 2024, 18:56 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka sekuestruar një aparat telefonik celular të bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Pajisja elektronike i është marrë zotërueses Ajola Xoxa në banesën e çiftit pranë Kodrës së Diellit në kryeqytet nga Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme. Ky është një nga momentet kur agjentë e BKH kanë mbërritur në godinën ku banon kryebashkiaku, për të ekzekutuar një urdhër-kontrolli në banesën e vëllai të tij Arbër Veliaj dhe po ashtu për kontroll personal dhe bllokim të aparatit celular të bashkëshortes Xoxa me qëllim këqyrjen e mëtejshme të tij.

Teksa familjarët e tij u përballën me agjentët e BKH, kryebashkiaku Veliaj ndodhej për një vizitë punë dy ditore në Hamburg, Gjermani. Pas interesit të medias, SPAK zgjodhi të mos ndajë asnjë detaj mbi objektin e kontrolleve, procedimin përkatës, sendet e sekuestruara, apo ambienteve të tjera të filtruara përveç banesave për shkak të fazës në të cilën ndodhet hetimi, por konfirmoi indirekt kryerjen e veprimeve hetimore.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”.

Burime jozyrtare bënë me dije se kontrollet dhe sekuestrimet e kryera janë bërë për llogari të një hetimi pasuror të nisur ndaj kryebashkiakut Veliaj. Për të njëjtin hetim, në maj të këtij viti, SPAK i kërkoi zyrtarisht informacion bankave të nivelit të dytë në vend mbi llogaritë, depozitat, apo kreditë e kryebashkiakut Veliaj, bashkëshortes, vëllait të tij dhe nënës.

Më herët, Veliaj ka dhënë shpjegime në SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, si person në dijeni, ndërsa emri i tij është listuar disa herë tek të akuzuarit, në kallëzime të depozituara nga eksponentë të Opozitës në Prokurorinë e Posaçme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos