Enkelejd Alibeaj dhe Nikola Kedhi u përfshinë në një debat mbi kërkesat e protestuesve, të bëra publike në ditën e 23-të të protestës.
Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, gjithçka nisi kur anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike deklaroi se Alibeaj tha një “të pavërtetë”.
Alibeaj: Ne mund të analizojmë çfarë ka ndodhur deri më sot. Çfarë do ndodhë nga nesër e tutje, nuk e dime. Ne mund të bëjmë një analizë të asaj që çfarë ka ndodhur deri më sot që s'ka ndodhur pothuajse në 36 vite dhe ky është një ogur i madh i asaj se çfarë shqiptarët dinë të bëjnë. Ka dy kërkesa: dorëheqja zyrtare dhe e dyta “Rama në burg, Berisha në burg”.
Kedhi: Mua më vjen keq që zoti Alibeaj e nisi ndoshta pa dashje duke thënë një të pavërtetë.
Alibeaj: Jo, jo, unë i hy gjithmonë me dashje, nuk i hy pa dashje.
Kedhi: Atëherë, paska gënjyer me dashje. Më lini ta përfundoj.
Alibeaj: Jo, nuk të lë sepse e nise me Alibeaj. Unë nuk të thirra as zotëri, as zotërush Kedhi. Thashë për Sali Berishën. E ku është e keqja më e madhe? Se edhe kaq të rinj sa jeni, jeni indoktrinuar nga njerëz të vjetër, të cilëve vazhdoni t’u jepni oksigjen. Epitete të vërteta apo të pavërteta lërini.
Kedhi: Tani, ka dalë vërtetë një përfaqësi nga protesta dhe thotë “sot jam autorizuar thotë zotëria që ka dalë në emër të tyre nga grupi koordinues i protestës. Në emër të grupit koordinues, duke dëgjuar propozimet e sovranit dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe gjithë bashkëkombasit, se kjo protestë kërkon dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë; krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12-mujor; Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor duke përfshirë: shqiptarët janë të barabartë para ligjit, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme. Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare. Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgimin kulturore, paketën e maleve, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike. Një kontratë e re sociale. Ku ishte këtu pjesa e burgut?
Alibeaj: Ti e ke hallin pse nuk ishte “Rama burg, Berisha burg”? Kjo ishte gënjeshtra? E kuptova. Domethënë, kjo ishte e pavërteta e madhe. Domethënë, ka 23 ditë që ai shesh, bashkëmoshatarët e tu thonë “Rama në burg e Berisha në burg” dhe ti thua kjo është e pavërtetë?
Kedhi: 10 minuta përpara ia thatë zonjës tekstualisht.
Alibeaj: Shpëtuat! Shpëtoi Berisha nga burgu. Ky ishte meraku? E mbarove misionin me kaq? Dakord.
Kedhi: Meraku im është që ne qytetarët shqiptarë këtu themi të vërtetën.
Alibeaj: Je në pozicionin më të gabuar të thuash që ata s'kërkojnë që kasta e vjetër politike, po të duash të jap edhe kredo, që burgu është metaforë sepse ata kërkojnë ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetit, në mënyrë që Rama dhe Berisha yt të shkojnë e të përballen me drejtësinë.
Kedhi: Ju u përpoqët të manipulonit publikun duke thënë dy kërkesa dhe unë lexova kërkesat reale të qytetarëve. Unë kam këtë merak, që ne qytetarëve shqiptarë t'ua themi gjërat siç janë.
Alibeaj: Po pra, “Rama në burg, Berisha në burg”. E thonë ata (protestuesit).
Kedhi: Protestuesit kanë dalë me kërkesa zyrtare. Unë i lexova kërkesat zyrtare, nuk e lexova këtë. E heqim këtë qartësim. (A2 Televizion)