Pas refuzimeve për liri në tre shkallët e gjykimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka “trokitur” në Gjykatën Kushtetuese.
Ekipi i tij i mbrojtësve ligjorë kanë depozituar në këtëgjykatë një ankim, mes të cilit synojnë lirimin nga paraburgimi të kryebashkiakut, shkruan A2.
Nga Kushtetuesja, Veliaj kërkon shfuqizim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për caktimin e masës “arrest në burg” ndaj tij. Sipas kryebashkiakut, vendimet janë dhënë në shkelje të Kushtetutës, pasi përgjatë procesve të caktimit të masës i është shkelur e drejta e procesit të rregullt ligjor e proporcionalitetit të masës së sigurimit dhe ajo e prezumimit të pafajësisë.
Erion Veliaj, i pandehur i SPAK për 5 vepra penale, mes të cilave edhe “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave” qëndron në qeli prej shkurtit të këtij viti. Dosja penale ndaj tij dhe 29 të bashkëpandehurve ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme.
Më 31 tetor ai u përball me Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshtoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra, kërkesë që iu pranua nga gjyqtarët kushtetues më 3 nëntor. (A2 Televizion)