Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, foli edhe për hetimet mbi 21 Janarin, duke theksuar se “politikanët po e zvarrisin çështjen”.
“Kjo është një histori, kjo është një ngjarje, unë dua ta quaj vijë demarkacioni, para dhe mbas 21 janarit, edhe për zhvillimet politike, shoqërore të këtij vendi. Pra, një ngjarje që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku të vetmit dëshmorë që kanë rënë në atë bulevard janë ata katër dhe që nga ajo kohë ne nuk kemi patur më një protestë të dytë. U vra edhe shpirti i protestës në këtë vend. Është një ngjarje që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka certifikuar si krim shtetëror. Pra, ti nuk ke nga shkon, krim shtetëror! Për fatin tim të mirë, unë kam qenë që në momentin e parë. Pata shansin më të madh që të kem në dorë një material ose një ngjarje që mund të përmbysë situatën dhe të përmbysë historinë. Deri momentin që unë nxora filmimet, publikimi i atyre pamjeve afër mesnatës bëri që të ndryshonte dhe varianti i ngjarjes, që deri në atë kohë thuhej që protestuesit nga u vranë nga turma dhe përgjegjësia po i lihej opozitës”, tha fillimisht Hoxha.
“Unë nuk e dija se s'më interesonte shumë nëse përgjegjësinë e kishte opozita apo qeveria. Mua më interesonte kush i vrau ata njerëz dhe nga ai moment u ndryshua situata, dolën pamjet dhe unë kam qenë pa gjumë deri në momentin kur predha që dilte nga automatiku i Agim Lluost që nxorëm ne në pamje u gjet në trupin e Ziver Veizit dhe u tha që “po, kjo predhë ka dalë nga automatiku me këtë numër serie”. Aty u binda dhe aty u qetësova sepse edhe unë kisha frikë se mos manipulonin provat e mund ta bënin siç bënë me Aleks Nikën, me predhën e Aleks Nikës, që e kanë prishur me limë, e kanë dëmtuar predhën që edhe të mos identifikohet nga çfarë armë është qitur. Nga ai moment ndryshoi historia, u fshinë serverat, u fshi DVR-ja. Mbas 12 vitesh unë rashë në gjurmë të audio-regjistrimit se kam dëgjuar shumë variante këto ditët e fundit. Flasin të gjithë, po nuk flasin njerëzit kryesorë. Ky është strumbullari nga kanë nisur çështjet. Unë e kam ndjekur historinë bashkë me familjen Nika sepse ata nuk kanë hequr dorë nga vrasja e familjarit të tyre. Çështja është gjykuar dhe është dhënë ai verdikti në të gjitha shkallët e gjyqësorit që vrasjet janë bërë nga pakujdesësia vetëm për dy nga viktimat, për Ziver Veizin dhe për Faik Myrton, dhe është thënë që Ziver Veizin e ka vrarë siç është në pamje Agim Lupo, shefi i shtabit, dhe ndërkohë komandanti i Gardës, gjenerali me pistoletën e vet Ndrea Prendi ka vrarë Faik Myrton dhe Faik Myrto nuk është vrarë te dera e Kryeministrisë, është vrarë përtej bulevardit, është vrarë tek Kryesia e Kuvendit”, shtoi Hoxha.
Sipas tij, çështja u rihap jo për një gjë të gjykuar.
“Nuk është gjykuar vrasja e Hekuran Dedës dhe vrasja e Aleks Nikës. Dhe unë prandaj e kam ndjekur çështjen me familjen Nika. Rashë në dijeni të regjistrimit, sepse në atë kohë u tha që s'kishte servera. Audio u bë zanafilla edhe për rihapjen e çështjes dhe ne kërkonim ta hapte SPAK-u. Audion unë e kam marrë mbas 12 vitesh, diku rreth korrikut të vitit 2022, kam rënë në dijeni të këtij informacioni. Pse kam rënë në dijeni? Sepse nga dokumentarët vija re që në pamje shikoja drejtuesit e lartë të Gardës, gjë që e kam parë dhe me sy të lirë atë ditë nga pozicioni që unë kisha, unë kam qenë te dy kullat, kam parë që drejtuesit e Gardës komunikonin në radio dhe nga eksperienca e di që të komunikosh në radio ti ke njësi qëndrore. Garda çdo gjë e protokollon që nga momenti kur del nga reparti dhe derisa kthehet në repart. Pra, ka edhe proces verbal, pra që mbahet me shkrim, protokoll, ka dhe atë që është me kamerë. Por, edhe nga radio, nga komunikimi në radio dhe unë shikoja që ata kishin radio dhe prandaj këmbëngulja dhe kërkoja ta gjeja komunikimin në radio. I kam thënë prokurorëve që kodet e përdorimit të radiove atë ditë kanë qenë këto dhe kam dhënë kodet. Pra, çdo zyrtar nuk del në emër të vet atje, del me kode. Kam çuar në SPAK një minikasetë diktofoni. Nuk ka mundësi që të riprodhosh zërin e Ndrea Prendit dhe të gjithë zinxhirit komandues të Gardës që komunikojnë me njëri-tjetrin. Unë kam dorëzuar një material që është diku tek 34 minuta dhe 36 sekonda. Sigurisht që në regjistrim ka patur më shumë se kaq sepse protesta ka zgjatur 4 orë, por ky 34-minutësh është momenti para, gjatë dhe pas vrasjes. Aty tregohet qartë që vrasjet janë bërë me urdhër. Pjesën kush e ka dhënë urdhrin është detyrë e hetimit që unë e di që SPAK s'kishte qejf ta merrte këtë ngjarje. E detyroi Gjykata e Lartë mbas vendimit të Strasburgut, por me kodet që i kam çuar unë. Kjo audio e çon patjetër. Audio shërben së pari për të treguar që Garda ka funksionuar me urdhër, siç e ka ligji. Këtu jam dakord me Berishën. Berisha thotë Garda funksionoi siç e ka ligji. Por, ligji e ka që Garda funksionon me urdhër, jo me iniciativë dhe vetëveprim si partizanët. Dhe me ligj Garda e ka që funksionon me hierarki. Pra, Garda vepron në bazë të urdhrave që i vijnë në rrugë hierarkike. Unë kam çuar materialin që tregon se vendimet e gjykatave shqiptare deri tani kanë qenë të rreme. Vrasjet janë bërë me urdhër. Dëgjohet urdhëri. Janë vetëm tetë sekonda kur ndodhin vrasjet”, shtoi Hoxha.
Gazetari theksoi se predha e plumbit që vrau Aleks Nikën është dërguar në FBI për ekspertizë.
“Unë kam thënë që duhet thirrur nga Presidenti i asaj kohe, Bamir Topi, dhe me radhë kryeministri zoti Berisha, kryetari i Parlamentit, ish-zëvendës kryeministri Meta, kryetari i opozitës i asaj kohe, zoti Rama, sepse patjetër Strasburgu i ka vënë kollona dhe ka kërkuar një hetim shterues dhe ky është shansi i fundit që ne kemi për një ngjarje si janari. Nëse s'hetohet tani, nuk do të hetohet më kurrë. Por, ekspertiza e Turqisë në fakt ka ardhur predha e plumbit, sepse Aleks Nika ka ndërruar jetë në Turqi. Ajo predhë është çuar në FBI, e ka ekspertuar laboratori më i mirë mbi planet dhe mbasi erdhi nga FBI-i, Prokuroria e Tiranës e riçoi dhe njëherë në Itali, se kjo është qesharake. Pra, ty ta ka ekspertuar amerikani, ti do ta çosh dhe italianin. Këto kanë qenë thjesht kleçka për të humbur kohën. Po shkojmë në vitin e 15. Unë kam vërejtur këtë gjë që nuk ka patur vullnet politik as nga kryeministri Rama për ta çuar përpara këtë çështje dhe ndërkohë në këtë moment pres se SPAK-u me padurim ta thërresë kryeministrin e Shqipërisë dhe ai duhet të shkojë atje”, tha Hoxha. (A2 Televizion)