Një edukatore 32-vjeçare është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar në kopshtin privat “Lala”, në rrugën Aleksandër Moisiu, në zonën e ish-Kinostudios.
Ishin prindërit që fillimisht ngritën dyshimet pasi vunë re shenja në faqe e fëmijës.
Për shkak të të nxirave e dërguan në spital, duke dyshuar se dëmtimet mund të ishin shkaktuar gjatë një zënke mes fëmijëve.
Konstatimet bënë që të nisnin kallëzim në polici e cila sekuestroi dhe këqyri pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas hetimeve, në një moment kur fëmija ishte duke qarë, edukatorja iu afrua dhe e goditi dy herë me shuplakë në fytyrë, duke i shkaktuar më pas edhe të nxira në faqe.
Menjëherë pas verifikimit të pamjeve filmike, uniformat blu arrestuan 32-vjeçaren, e cila, sipas burimeve, kishte ushtruar më parë të njëjtin profesion edhe jashtë vendit.
Ndërkohë, pas ngjarjes, nga një verifikim rezulton se faqet zyrtare të kopshtit në Instagram dhe Facebook janë mbyllur. (A2 Televizion)