Gabimet fatale dhe 4 viktima, Benzi me super shpejtësi, betoniera ndaloi, ‘i mbaroi nafta’

Nga Xhensila Kodra
21 Mars 2025, 15:46 | Kronikë

Policia Rrugore e Tiranës zbardh dinamikën e aksidentit të rëndë në mbrëmjen e së mërkurës në aksin Vorë - Fushë-Krujë, ku humbën jetën katër të rinjtë Enejdi dhe Erild Laçi, të dy vëllezër, kushëriri i tyre, Andi Laçi, si dhe shoku i tyre, Endrikejd Kurti, shkruan A2 CNN. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë zonës, me Benzin e tyre parakaluan fillimisht dy kamionë dhe më pas ndodhi përplasja fatale me betonieren e cila kishte ndaluar në rrugë. Sipas policisë ajo nuk e kishte të ndezur as bllokazhin.

Kur është marrë në pyetje drejtuesi 24-vjeçar i betonieres, Aleksandër Krrashi deklaroi se ndaloi pasi i kishte mbaruar karburanti dhe kishte shkuar tek një pikë furnizimi për të marrë naftë. Ai kishte harruar ndezjen e  bllokazhit, një prej rregullave kryesore të qarkullimit.

Hetuesit dyshojnë se shkak i aksidentit fatal kanë qenë dy faktorë, shpejtësia tej normave të lejuara nga mjeti i katër djemve, rreth 200 km/orë, si dhe mungesa e fushëpamjes, kur kanë parakaluar dy kamionët e tjerë dhe nuk kanë mundur të shohin betonieren e ndaluar.

Të rinjtë ishin duke u kthyer nga aeroporti i Rinasit ku kishin pritur nga Gjermania 20-vjeçarin Erild Laçin, njëri prej dy vëllezërve që mbetën viktimë.

Pas aksidentit tragjik, policia arrestoi drejtuesit e betonierës, që fillimisht u largua nga vendngjarja. Ai nuk kishte as patentë për drejtimin e mjeteve të transportit të rëndë. Krahas tij u arrestua edhe kushëriri Valentin Krrashi që e ndihmoi te largohet nga vendngjarja, e po ashtu edhe menaxherin e firmës që kishte punësuar 24-vjeçarin, Danjel Koxha. Pronari i firmës që prodhonte beton, Saimir Hoxha u shpall në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos