Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka vijuar të kundërshtojë përgjigjet e dhënë nga ekspertët që kanë përpiluar akt-ekspertimin ekonomiko-financiar, të paraqitur nga SPAK si provë në proces.
Nga banka e të pandehurit, ish-ministri i akuzuar për "shpërdorim të detyrës", ka këmbëngulur se kompania SAC, që kreu demontim në Gërdec kishte kaluar në të gjithë filtrat e DASH, por edhe të MEICO e SHISH.
Sipas Mediut, ekspertët nuk kanë këqyrur 80% të dokumentacionit të nevojshëm për të kryer akt-ekspertimin dhe as me licencat që zotëronte SAC, të miratuara nga autoritetet amerikane, shkruan A2.
“Do hedh dritë mbi çdo përgjigje dhe sens alogjik të ekspertëve.
Në raporte e korrespondenca konfidenciale, Meico dhe SHISH kanë vërtetuar besueshmërinë e kompaninë SAC.
Mbi 80% e dokumenteve të nevojshme nuk janë studiuar nga ekspertët.
Ekspertët bëjnë vlerësime juridike, që janë jashtë tagrit të tyre.
DASH nuk vlerëson një kërkesë, por të gjithë dokumentacionin. Ka shumë detaje para se të lejohet përcjellja e teknologjisë ushtarake në Shqipëri.
Ekspertët i bëjnë bisht pyetjes edhe nëse janë njohur ose jo me licencat e SAC. Ekspertët nuk kamë asnjë njohuri se çfarë licencash nevojiten në SHBA dhe Shqipëri për këtë proces.
Unë, duke kërkuar në dokumentacion, arrita të gjej disa licenca të SAC, licenca për të cilat është marrë në vijimësi leje nga SHBA.
Departamenti i Mbrojtjes, por edhe i Transportit në SHBA kanë dhënë leje për procesin.
Nëse Sac do ishte kompani mashtruese, atëherë përse akuza nuk ka ngritur asnjë çështje ndaj kësaj kompanie. Pretendohet se nuk kanë paguar detyrimet financiare.
Unë kam mundur të gjej të gjitha licencat e SAC. Ministria e Mbrojtjes nga vitet ‘90 deri sot, i ka shitur municionet në ofertuesin e parë. Municionet nuk mund të shiten në ankand.
Ekspertët kanë bërë përgjigje “copy paste” të akt ekspertimit të bërë prej tyre në vitin 2008.
Kam kontrata të Meico me Policanin, ku Meico e ia ka dhënë municionin falas dhe transportuar falas.
Në Polican fishekët janë djegur. Janë shpenzuar 8 mln usd nga partnerët. Demontimi në Poliçan do të zgjaste deri në 2030, ndërsa kërkohej që procesi të mbaronte në 2010.
Absurditet vlerësimi i ekspertëve që fitimi në rast demontimi është më i madh se ai nga shitja”, u shpreh Mediu. (A2 Televizion)