Policia e Shtetit, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, ka zhvilluar një operacion të zgjeruar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, duke ushtruar kontrolle fizike dhe në banesa ndaj pesë shtetasve të dyshuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Operacioni u zhvillua në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të datës 17 maj 2025.
Gjatë kontrollit në banesën dhe ambientet në pronësi të Elvis Rroshit, 50 vjeç, ish-kryetar i bashkisë së Kavajës, u sekuestruan një telefon celular, fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish, shkruan A2 CNN.
Po ashtu, policia sekuestroi telefona celularë gjatë kontrollit ndaj shtetasve:
O. S., 38 vjeç, banues në Kavajë,
T. Rr., 44 vjeç, banues në Kavajë,
T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës.
Ndërkohë, në banesën e M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, u sekuestruan një pajisje DVR, kupona nafte si dhe një pistoletë manovër.
Materialet e sekuestruara janë dërguar për ekspertizë dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm.
Policia njofton se hetimet do të përqendrohen në dyshimet për përfshirje në korrupsion aktiv në kuadër të zgjedhjeve dhe mbledhjes së të dhënave mbi ndikimin e paligjshëm në procesin zgjedhor. (A2 Televizion)