Kristal Palace shkruan historinë duke ngritur për herë të parë trofeun e FA Cup. Surpriza më e bukur e këtij edicioni në Angli fitoi përballë gjigantëve të Manchester City-t me rezultatin 1-0. Një ndeshje mjaft e bukur në Wembley që nisi me raste që në fillim.
Goli i avantazhit dhe i vetmi i takimit u realizua në minutën e 16-të me autor Eze. City pati shansin e artë për t’u rikthyer në lojë që në pjesën e parë, por Marmoush gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Në fraksionin e dytë, Kristal Palace, pavarësisht se ishte në avantazhin e një goli, kërkoi shumë për të dyfishuar shifrat. Palace realizoi edhe një herë, por festa u anulua për pozicion jashtë loje.
Pep Guardiola provoi të aktivizonte të gjitha kartat e tij, por as ato nuk ndryshuan asgjë në fushë. Një sukses i jashtëzakonshëm për Kristal Palace që ngre për herë të parë në histori këtë trofe, ndërsa zhgënjim ka në anën tjetër. Një humbje që dhemb shumë për “qytetarët”, pasi shënon sezonin e parë pa trofe që nga viti 2016-17. (A2 Televizion)