Serie A, Atalanta fiton me përmbysje përballë Genoas

Nga Dea Kozma
18 Maj 2025, 12:08 | Futboll

Serie A, Atalanta fiton me përmbysje përballë Genoas

Atalanta regjistroi një fitore me përmbysje në Serie A, duke mundur 3-2 Xhenoan në duelin e vlefshëm për javën e 37-të. Vendasit gjetën rrjetën me Pinamontin në minutën e 37-të, duke mbyllur pjesën e parë me avantazhin e një goli.

Në fraksionin e dytë, bergamaskët u përpoqën për të reaguar dhe vendosën baraspeshën në minutën e 47-të me Sulemanën, duke rihapur sfidën. Megjithatë, kundërpërgjigjja e Xhenoas nuk vonoi. Sërish Pinamonti realizoi, duke rikthyer avantazhin me një dopietë personale, shkruan A2 CNN.

Asgjë nuk kishte përfunduar për ekipin nga Bergamo, që nuk u dorëzua. Daniele Maldini, në minutën e 63-të, vendosi sërish baraspeshën, duke çuar shifrat në 2-2. Për golin e fitores mendoi Mateo Retegui, që një minutë para përfundimit të kohës së rregullt shpërtheu festën bergamaske.

Pas këtij suksesi, Atalanta ngushton në vetëm 3 pikë diferencën nga Interi i vendit të dytë, ndonëse këta të fundit kanë një ndeshje më pak. Sa i përket kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshitit, ai mungoi në këtë përballje për shkak kartonësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos