Dhunoi komisionerin, burg për autorin, prokuroria: Ishte pa beixh vëzhgimi

Nga Xhensila Kodra
17 Maj 2025, 17:09 | Kronikë

Dhunoi komisionerin, burg për autorin, prokuroria: Ishte pa beixh

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës caktoi arrest në burg për Rei Nozllin, që pak ditë më parë dhunoi komisionerin në Kashar, pasi nuk pranonte që një fletë votimi të shpallej e pavlefshme.

26-vjeçari akuzohet për veprën penale “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Ngjarja ndodhi mesditën e 15 Majit në KZAZ numër 30 Kashar, teksa gjatë procesit të numërimit, numëruesi përkatës ka deklaruar të pavlefshme një votë dhe atë moment Nozlli dhe disa persona të tjerë që ndodheshin me të, kanë reaguar duke bërtitur, duke shprehur mosdakortësinë me këtë vendim të numëruesit.

Sipas prokurorisë, këta persona qëndronin në ambientet e numërimit të votave dhe ndiqnin procesin, pa patur statusin e vëzhguesit të asnjë subjekti politik.

Në atë moment, Remzi Mehmeti, sekretari i KZAZ-së, u kërkoi të qetësoheshin, pasi do të mblidhte komisionin dhe do të bënin vlerësimin e votës së kontestuar, por grupi i personave nuk ndaloi dhe vijuan me fjalë fyese.

Mehmeti kërkoi që ata të dilnin jashtë, por 26 vjeçari kaloi shiritin e perimetrit të sigurisë dhe nisi ta godasë me shkelma e grushte. Mbas tij shkuan edhe personat e tjerë. Mësohet se i arrestuari ishte përkrahës i kandidatit për deputet të PS-së, Ornaldo Rakipit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos