Një emigrant i paligjshëm është gjendur i pajetë në zonën e Devollit, pranë kufirit të gjelbër me Greqinë.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se emigranti me kombësi siriane, është gjetur gjatë patrullimeve të policisë dhe Frontex, në fshatin Trestenik të Devollit.
Viktima dyshohet se i përket moshës 40-45 vjeç. Sipas të dhënave, nuk janë konstatuar në trupin e tij shenja dhune.
Policia dyshon se shkak për vdekjen e tij janë bërë temperaturat e ulëta.
Sakaq, po kryhen veprimet e mëtejshme për identifikimin e emigrantit të ndjerë dhe përcaktimin e shkakut zyrtar të vdekjes nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Njoftimi i policisë:
"Më datë 12.11.2023, rreth orës 07:10, në pyllin e fshatit Trestenik, Devoll, është gjetur pa shenja jete nga banorët e zonës, një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 40 vjeç, i cili nga të dhënat e para dyshohet se mund të jetë emigrant i paligjshëm.Nga këqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja mund të jetë shkaktuar për shkaqe natyrale. Trupi i pajetë do të dërgohet drejt morgut, ku pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes." (A2 Televizion)