Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e bërë nga Fatime Kryemadhi, e ëma e ish-deputetes Monika Kryemadhi për të mos u gjykuar në Gjykatën e Posaçme.
Kryemadhi trokiti në Gjykatën e Lartë me një ankim të veçantë, ku kërkonte ndryshimin e vendimit të ndërmjetëm, që nuk i pranoi asaj kërkesën për të veçuar çështjen nga të bashkëpandehurit dhe kalimin për kompetencë në Gjykatën e Tiranës, me pretendimin se nuk ishte subjekt i SPAK.
Por një vendim i një Kolegji Penal, me relator gjyqtarin Ilir Panda, ka vendosur të mos pranojë ankimin, duke konfirmuar Gjykatën e Posaçme si kompetente për gjykimin. Fatime Kryemadhi po gjykohet për veprën penale të “pastrimit të parave” në një proces me kohë të shkurtuar. Procesi ndodhet në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes.
Me herët, SPAK kërkoi ndaj saj dënim me 5 vite burg, të konvertuara në 5 vjet Shërbim Prove. (A2 Televizion)