Rregulla të reja për monopatinat, institucionet nisin hartimin e kuadrit ligjor

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 17:16 | Kronikë

12 ditë pas vendimit për pezullimin e lëvizjeve të qytetarëve më monopatina elektrike, institucionet pritet të vendosin rregulla të reja për përdorimin e tyre.

Ministria e Brendshme ka mbledhur të gjithë aktorët kryesorë të sigurisë rrugore për të hartuar kuadrin ligjor.

Këtë të premte Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një tryezë ndërinstitucionale me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, ARRSH, DPSHTRR, Bashkisë dhe ekspertëve të fushës.

Diskutimet u fokusuan në hartimin e rregullave të qarkullimit dhe sigurisë për monopatinat elektrike. Burime për A2CNN bëjnë me dije se pritet të ndërhyhet në Kodin Rrugor për t'u vendosur edhe rregullat për përdorimin e monopatinave elektrike.

Përmes kuadrit të ri ligjor, do të vendosen standardet teknike të mjeteve, rregullat e përdorimit, zonat ku do të lejohet qarkullimi dhe përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e ligjit.

Përdoruesit do të duhet të mbajnë kaskë mbrojtëse, mjetet do të regjistrohen, ndërsa shkelësit e rregullave do të gjobiten. Gjithashtu, do të vendoset një kufi moshe për përdoruesit e monopatinave.

Brenda disa ditësh pritet të publikohet drafti i rregullave të reja, që synon të japë një kuadër të qartë ligjor për përdorimin e monopatinave elektrike në qytet. Drafti do të diskutohet edhe me grupet e interesit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos