Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest ne burg" për ish-drejtorin e policisë së Lezhës, Henerigert Mitri. Në seancë, Mitri nuk ka dhënë deklarime, ndërsa avokati i tij ka kërkuar një mazë më të butë.
Pas më shumë se 5 muajsh në kërkim, më 11 shtator, Mitri u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Ish-efektivi i policisë po hetohet pasi ka dyshime se drejtonte kultivimin e kanabisit në Lezhë dhe organizonte aktivitetin e lojërave të fatit.
Pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK, Henrigert Mitri u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit më 20 Maj 2024 me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shkruan A2 CNN.
Ai dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Lezhë së bashku me oficerin Klodian Shahini, gjithashtu i akuzuar nga SPAK, ushtronin aktivitetin e kultivimit të kanabisit dhe të lojërave të fatit në qarkun e Lezhës.
E gjithë veprimtaria e tyre u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin Sky, shkruan A2. (A2 Televizion)