
Policia e Sarandës ka goditur një grup kriminal të dyshuar për vjedhje me thyerje në banesa dhe automjete.
Operacioni i koduar “Focus” zbardhi dhe dokumentuan 6 raste vjedhjesh, të kryera gjatë 25-27 qershorit, ku autorët dyshohet se vodhën shuma parash, laptopë, tableta, sende me vlerë dhe dokumente personale nga 5 automjete dhe 1 banesë.
Në pranga ranë katër persona, tre banues në Tiranë dhe një në Durrës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë operacionit u sekuestruan një laptop, një telefon celular, të dyshuar të vjedhur, si dhe automjeti që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Focus" u arrestuan në flagrancë shtetasit: Sherif Dafku, 33 vjeç, banues në Durrës; Blerim Allaraj, 27 vjeç, banues në Tiranë; Belik Cengu, 32 vjeç, banues në Tiranë dhe Eusedio Dumbollari, 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi Olsi Shehu, 39 vjeç, banues në Fier.
Policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjeve nga ky grup. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë Sarandë
Veprime intensive hetimore dhe operacionale për goditjen e një grupi kriminal që kryente vjedhje me thyerje, në banesa dhe në automjete.
Finalizohet operacioni i koduar “Focus”. Zbardhen dhe dokumentohen 6 raste të vjedhjes me thyerje, në automjete/banesa, gjatë javës së kaluar.
Identifikohen 5 pjesëtarët e grupit që kryente vjedhjet. Kapen dhe vihen në pranga 4 prej tyre, punohet për kapjen e bashkëpunëtorit.
Sekuestrohen laptop dhe celular, të dyshuar të vjedhur, si dhe 1 automjet që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve.
Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe operacionale të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për goditjen e një grupi kriminal që kryente vjedhje në banesa dhe në automjete, u finalizua operacionin i koduar “Focus”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
-B. A., 27 vjeç, B. C., 32 vjeç dhe E. D., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe Sh. D., 33 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 39 vjeç, banues në Fier.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin vjedhje me thyerje, në banesa dhe në automjete.
Gjatë periudhës 25.06.2026-27.06.2026, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në zona të ndryshme në Sarandë, kanë vjedhur shuma të konsiderueshme parash, laptopë, tablet, sende me vlerë dhe dokumente personale, në 5 automjete të cilave iu kanë thyer xhamat dhe në 1 banesë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky grup kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)