Struktura e Posaçme Kundër Krimit dhe korrupsionit ka zhvilluar një operacion të përbashkët me autoritetet e Finlandës, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Prokurori i SPAK Arben Kraja tha se droga trafikohej nga Shqipëria drejt Finlandës, ose nga Spanja drejt Finlandës. Hetimi ka nisur dy vite më parë në Shqipëri, ndërsa mëngjesin e sotëm janë lëshuar urdhra arresti për 11 persona dhe 9 prej tyre janë arrestuar.
“GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 11 persona. Janë nxjerrë urdhrat e ekzekutimit. U bisedua që aksioni të kryhej në orët e para të mëngjesit të sotëm në këtë aksion kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të policisë finlandeze. Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë e mundur zbatimi i masës së sigurimit deri më tani i 9 personave”, tha prokurori i SPAK Alfred Shehu.
Sipas tij “gjatë zbatimit të masave të sigurimit është bërë sekuestrimi i 8 automjeteve, telefona celularë dhe shumë dokumente ku një pjesë e tyre konsiderohen me vlerë për hetimin janë në gjuhën finlandeze dhe ka të dhëna për aktivitetin kriminal të personave”.
Ai thekson se “bashkëpunimi ynë me autoritete finlandeze do të vazhdojë. Hetimet tani janë të hapura ndaj personave”.
Ndërkohë Komisari për Krimin në Byronë Kombëtare në Finlandë tha se drejtuesit kryesor të grupit kriminal vepronin nga Shqipëria
“Dua të përgëzoj të gjithë kolegët që morën pjesë në këtë operacion sot në mëngjes. Dua të përgëzoj SPAK për bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë, u arrestuan 55 shtetas, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e trafikuar nga Spanja dhe Holanda. 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, rreth 100 kg marihuanë dhe disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi në Finlandë, rezultoi se drejtuesi kryesor ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria”, u shpreh ai.
Sipas prokurorit Arben Kraja droga trafikohej nga Shqipëria drejt Finlandës, ose nga Spanja drejt Finlandës.
“Hetimi ka nisur në Shqipëri në bazë të informacione të dërguar nga autoritete finlandeze. Kishin konstatuar shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal. Në Shqipëri u regjistruar procedimi penal, u ra dakord të krijonim një skuadër të përbashkët hetimore, që u finalizua shumë shpejt, brenda 2-3 muajve, pastaj dy vjet rresht punë dhe takime të përbashkëta dhe kemi ardhur sot që kemi këtë rezultat. Nga ky hetim kemi nxjerrë disa tipologji problematika që tregojnë shtrirjen dhe shpërndarjen e aktivitetit kriminal të Shqiptarëve jashtë territorit tonë. Përfshirë nga Shqipëria drejt Finlandës, nga Spanja drejt Finlandës. Kemi përdorur metoda speciale të hetimit, gjatë gjithë periudhës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe dakordësinë me veprimet që do kryejmë hap pas hapi”. (A2 Televizion)