Goditja e grupit kriminal, kreu i SPAK, Klodian Braho: Kemi sekuestruar 1 milion euro

Nga A2 CNN
26 Maj 2026, 19:54 | Kronikë

Goditja e grupit kriminal, kreu i SPAK, Klodian Braho: Kemi sekuestruar 1 milion

Kreu i SPAK, Klodian Braho në konferencën e përbashkët me Antimafian e Barit pas goditjes së një grupi kriminal që vepronte në Shqipëri dhe në Itali, deklaroi se  janë lëshuar 15 masa sigurimi personal, 10 prej tyre të caktuara nga SPAK.

Braho shtoi se në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar automjete, shoqëri tregtare dhe llogaritë e tyre bankare, si dhe 1 milion euro cash.

“Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të përbashkët. Në vijim të hetimeve në lidhje me këtë çështje janë caktuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave janë dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Tiranë. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar në total 1 milionë euro para cash dhe nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së Prokurorisë janë sekuestruar pasuri të tjera, Shoqëri tregtare, automjete, llogari bankare, që dyshohet se burojnë nga aktivitetet kriminale.

Ky rezultat dhe kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por vazhdimësia e një bashkëpunimi të mëparshëm mes policisë së Barit dhe SPAK-ut. Dua të përmend disa operacione të mëparshme, në të cilat janë dënuar penalisht rreth 170 persona dhe 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme, 12-15 vite burg.

Në emër të SPAK-ut dua të theksoj vlerësimin për autoritetet italiane, në veçanti për Prokurorinë e Barit, strukturat e specializuara anti-mafia, Eurojust, për të gjithë hetuesit që kanë kontribuar në rezultatet e këtij hetimi dhe hetimeve të mëparshme. Po kështu gjej rastin të falënderoj Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Shqipëri”, tha ndër të tjera Braho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos