
Policia e Durrësit ka arrestuar një 37-vjeçar i cili hyri në një dyqan kompanie celulare dhe mori me forcë një shumë 100 mijë lekë të reja. Forcat “Shqiponja” lokalizuan dhe kapën autorin e dyshuar në lagjen nr.6 të qytetit bregdetar.
“Mori me forcë xhiron ditore në një dyqan të një kompanie celulare. Falë reagimit të menjëhershëm të Forcës së Posaçme Operacionale “Shqiponja”, kapet në kohë rekord autori i dyshuar. Rreth orës 15:15, në lagjen nr. 16, Durrës, shtetasi G. R., 37 vjeç, dyshohet se ka hyrë në një dyqan të një kompanie celulare dhe ka marrë me forcë shumën prej rreth 100 000 lekësh të rinj, që përbënte xhiron ditore të biznesit, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
“Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan menjëherë punën dhe bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar në lagjen nr. 6, Durrës”, vijon njoftimi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)