Një adoleshent është vënë në pranga nga forcat “Shqiponja” në kryeqytet, pas një denoncimi për grabitje nën kërcënimin e armës në sheshin “Skënderbej”.
Policia u vu në veprim pasi u njoftuar se “rreth orës 03:20, dy persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e një arme, i kishin vjedhur një shumë parash dy shtetasve dhe më pas ishin larguar”.
Njëri prej autorëve të dyshuar të grabitjes me armë imituese, u arrestua në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" ndërsa vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, po 17-vjeçar.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se dy të miturit, janë autor të dyshuar edhe të vjedhjes së një shume parash, në një farmaci në rrugën "Asim Zeneli".
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave që kanë vjedhur, pistoleta imituese, dhe biçikleta të cilën autorët kanë përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)