Struktura e Posaçme SPAK ndërmori një aksion gjatë së mërkurës në dy qarqe të vendit për goditjen e personave të përfshirë në krime zgjedhore për garën elektorale të 11 majit.
Me urdhër të SPAK, agjentë të Byrosë Kombëare të Hetimit, të mbështetur nga policitë lokale, kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente në Qarkun Shkodër, në territore të Bashkisë Shkodër, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës. Burime policore bënë me dije edhe për shoqërimin e disa personave, të dyshuar si të përfshirë në veprime të paligjshme në fushën e zgjedhjeve, shkruan A2.
Po për llogari të hetimit të krimeve zgjedhore, kontrolle janë ushtruar edhe në disa zona në Fier. Deri më tani, SPAK ka administuar 156 kallëzime për krimet zgjedhore, nga të cilat ka regjistruar 39 hetime penale për dyshime konkrete.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të mërkurën se në prokuroritë e zakonshme në rrethet gjyqësore janë regjistruar 87 kallëzime penale në total, për të cilat kanë nisur hetime në 34 raste për krimet në fushën e zgjedhjeve. Numri më i lartë i hetimeve, 8 të tilla, është regjistruar në Prokurorinë e Elbasanit për veprën penale “përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “shpërdorim të detyrës”, “shpërdorim të autoritetit policor” dhe “pastrim të parave”.
Në rang zbritës, 5 hetime janë regjistruar në Prokurorinë e Fierit, 4 në atë të Tiranës dhe tre në Gjirokastër e Lezhë. Ndërsa prokuroritë e Shkodrës, Korçës e Sarandës kanë regjistruar nga dy hetime penale.
Sipas burimeve zyrtare, për veprat penale në fushën e zgjedhjeve janë arrestuar në flagrancë 7 persona të total, 4 në Tiranë dhe tre të tjerë në Elbasan, Lezhë e Fier. Prokuroria e Elbasanit, ndër të tjera, ka dhënë urdhër ndalimi për 4 persona. (A2 Televizion)