Mashtrim ndërkombëtar, arrestohet drejtuesi i një call center-i në Tiranë, shoqërohen edhe punonjësit

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 11:25 | Kronikë

Mashtrim ndërkombëtar, arrestohet drejtuesi i një call center-i

Policia bën të ditur se ka vënë në pranga një drejtues të një një call centeri në Tiranë, ndërsa ka shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë pasi akuzohen se ishin të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.

“Policia e Shtetit/Vijon në Shqipëri, operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Platforma”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizon në këtë kuadër, operacionin policor të koduar “Recovery”.

Zbulohet një call center në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik.

Vihet në pranga njëri nga 3 organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale.

Punohet për kapjen e 2 të tjerëve.

Gjithashtu, në pranga 6 punonjës në këtë subjekt, si dhe në hetim 4 të tjerë.

Sekuestrohen pajisje kompjuterike dhe celularë që i shërbenin mashtrimit.

Në kuadër të operacionit “Recovery” dhe si rezultat i kontrolleve të kryera në vijim të operacionit ndërkombëtar “Platforma”, shërbimet e Policisë konstatuan se kati i parë i një pallati në rrugën “Janos Hunyadi”, ishte përshtatur si call center.

Nga ndërhyrja në këtë subjekt, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga, punonjësit, shtetasit I. K., 33 vjeç, banues në Farkë, L. V., 22 vjeç, banues në Krujë, E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, D. R., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u kapën në flagrancë, punonjësit, shtetasit A. P., 40 vjeçe, V. A., 38 vjeçe, K. A., 24 vjeçe dhe S. M., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për të cilët nisi procedim në gjendje të lirë.

Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan 3 organizatorët e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet këtij call centeri, shtetasit A. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 34 vjeç dhe A. G., 38 vjeç.

Shtetasi A. Sh. u kap nga Policia dhe u vu në pranga, në kuadër të operacionit “Recovery”. Ndërkaq, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos