Për herë të dytë brenda disa javëve studentë të Akademisë së Sigurisë helmohen pas ngrënies në mensë. Rreth 60 kursantë kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa kompania që furnizon akademinë me ushqim përjashton veten nga përgjegjësia. Sipas saj problem jane kushtet higjieno-sanitare. Skandali me ushqimin në Akademinë e Sigurisë vijon sërish. Rreth 60 studentë janë helmuar mbrëmjen e së mërkurës pas konsumimit të vaktit të darkës, ku vetëm 1 muaj e gjysmë më parë 56 kursantë përfunduan në spital me të njëjtin shkak.
Studentët, rreth orës 10 të mbrëmjes kanë filluar të kenë simptoma, si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, ku të ndarë në grupe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Darka e studentëve të Akademisë së Sigurisë ka përfshirë ushqime si, fasule, salcice dhe kos. Autoritetet shëndetësore dhe AKU kanë sekuestruar mostrat e ushqimit dhe po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e helmimit. Akademia i siguron studentëve, të treja vaktet, me katering, nga kompania SORI-Al.
Ky është rasti i dytë që ndodh në 1 muaj e gjysmë, ndërsa policia dhe AMP kanë nisur hetimet. Herën e parë më 7 maj, u helmuan 56 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok. Asokohe, AKU bllokoi përkohësisht aktivitetin e kompanisë “SORI-Al” për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare. Por kompania pak ditë më vonë filloi sërish aktivitetin.
Tashmë sërish është përsëritur e njëjta situatë dhe studentë në Akademinë e Sigurisë helmohen nga ushqimi. Kompania 'Sori-Al' në deklaratën zyrtare distancohet nga përgjegjësia, duke deklaruar se sipas monitorimit të tyre në Akademinë e Sigurisë konsumohen nga studentët produkte ushqimore të porositura nga jashtë. Në reagim thuhet se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve.
Lidhur me ngjarjen e përsëritur ende nuk ka persona të ndaluar dhe masa nga organet përgjegjëse. (A2 Televizion)