Një ditë pas paraqitjes së të vëllait Zabit Deda, mëngjesin e sotëm është paraqitur në SPAK Agim Deda, vëllai tjetër i Hekuran Dedës, i cili u vra në 21 janar të vitit 2011 para godinës së Kryeministrisë. Ai dha deklarime për rreth një orë në SPAK, por nuk pranoi të bënte asnjë koment për mediat.
Edhe një ditë më parë Zabit Deda dha për gati një orë dëshminë e tij para prokurorëve të SPAK, që po hetojnë “21 janarin”.
“Ato që na kërkuan i thamë. Shpresojmë se do zbardhet”, tha Zabit Deda në një deklaratë për mediat, shkruan A2 CNN.
Sot në SPAK u paraqit vëllai i tij, Agim Deda, po për llogari të hetimeve për vrasjet gjatë protestës së opozitës së asaj kohe në bulevard.
Njëlloj si në rastin e të vrarit tjetër, Aleks Nika, vrasja e Hekuran Dedës është një ngjarje e pa zbardhur. Në gjykimin e parë të dosjes “21 janari” për vrasjen e tij u akuzua gardisti Agim Llupo, por Apeli i kryeqytetit e zhveshi nga kjo akuzë, duke e lënë pa autor të dyshuar vrasjen e Dedës.
SPAK regjistroi hetim për “21 janarin” korrikun e vitit të shkuar, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Kjo gjykatë detyroi Strukturën e Posaçme të hetojë një kallëzim të bashkëshortes së Aleks Nikës kundër ish-kryeministrit, Sali Berisha, ish-ministrit të brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, të cilët i akuzon për “vrasje në rrethana cilësuese”, “shpërdorim të detyrës” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.
Gjatë një takimi informal me gazetarët gjatë javës së shkuar, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se për këtë dosje po kryhen veprime hetimore intensive. (A2 Televizion)