Hetimi i krimit zgjedhor, drejtori i Rendit: Kemi denoncime, po verifikohet çdo paligjshmëri

Nga Xhensila Kodra
22 Prill 2025, 15:18 | Kronikë

Katër ditë pas çeljes së fushatës zgjedhore, në Lushnjë u arrestua një 38-vjeçar për korrupsion në zgjedhje, pasi i kishte ofruar para një qytetari për të votuar një parti politike në zgjedhjet e 11 Majit. Deri më tani ky është rasti i vetëm që është çuar në arrestim, por drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit Agron Çeli pranon për a2cnn se ka të tjera raste denoncimi për të cilat është duke u punuar për të goditur çdo paligjshmëri.

“Sipas parashikimeve të Kodit Penal, për krimet zgjedhore ne jemi duke i zbatuar përditë me të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e SPAK-ut dhe të prokurorive të rretheve. Ka pasur raste, për të gjitha rastet që kemi marrë njoftim, janë njoftuar strukturat dhe është goditur çdo paligjshmëri që është evidentuar në terren”, tha për A2 CNN Agron Çeli, drejtor i Rendit Publik.

Kush kryen korrupsion në zgjedhje, sipas Kodit Penal rrezikon burgim nga 1 deri në 5 vite. I njëjti dënim është edhe nëse një qytetar kapet duke fotografuar votën. Drejtori Çeli thotë se kushdo që del mbi ligjin do të ndëshkohet.

“Çdo paligjshmëri do të ndëshkohet. Asnjë qytetar në rast se evidentohet nuk do të mbetet pa ndëshkuar nga strukturat e posaçme që merren me hetimin e këtyre krimeve zgjedhore”, tha Çeli.

Sipas ligjit, çdo punonjës policie ditën e zgjedhjeve duhet të qëndrojë 150 metra larg qendrave të votimit. Çeli shpjegon se kur një efektiv mund të ndërhyjë brenda apo jashtë këtyre qendrave.

“Vendimi i fundit që ka dalë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë caktuar dy koordinatorë. Koordinatorët me evidentimin e rastit do të njoftojnë sallat e kontrollit në drejtoritë vendore ose drejtuesin e shërbimit që është i nivelit të mesëm dhe menjëherë Policia e Shtetit do të marrë masat për ndërhyrjen e menjëhershme në ambientet e jashtme. Ndërsa në ambientet e brendshme funksionon mënyra tjetër që sekretari i qendrës së votimit njofton Policinë e Shtetit dhe Policia e Shtetit menjëherë shkon për të ndërhyrë në qendrën e votimit”.

Që prej muajit shkurt janë trajnuar 6500 efektivë të Policisë së Shtetit nga niveli bazë deri te strukturat më të larta të saj për mënyrën si do të procedohet me krimet zgjedhore dhe si do të garantohet rendi gjatë procesit të 11 majit. Këto trajnime janë bërë në bashkëpunim me OSBE, SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos