Babai e vrau në Shqipëri, avokati i familjes tërheq trupin e 24-vjeçares palestineze

Nga A2 CNN
22 Prill 2025, 14:53 | Kronikë

Këtë të martë është tërhequr nga morgu trupi i pajetë i 24-vjeçares palestineze Rayan Alwan, e cila u vra me thikë dy muaj më parë në Tiranë nga babai i saj, 49-vjeçari Fati Alwan.

A2 CNN mëson se trupi i pajetë i së resë është tërhequr nga avokati i familjes së saj, i dërguar në vendin tonë nga nëna e 24-vjeçares dhe është dërguar më pas në Liban.

Vajza palestineze u gjet e vrarë në një banesë të marrë me qira në kryeqytet në muajin shkurt të këtij viti.

Fillimisht u dyshua se autor ishte bashkëjetuesi i saj, 25 vite më i madh në moshë. Por më pas pas të dhënave që policia shqiptare siguroi nga homologët rezultoi se 24-vjeçarja u vra nga babai i saj, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Motivet e këtij krimi makabër vijojnë të mbeten mister për grupin hetimor. Sakaq, autoritetet shqiptare pak ditë pasi ndodhi ngjarja i kërkuan homologëve në Gjermani që të kërkonin nga familjarët të tërhiqnin nga morgu trupin e së resë, por sipas tyre nuk kishte pasur asnjëri një interesim për këtë gjë.

Fati dhe Rayyan Alwan mbërritën në Shqipëri më 19 shkurt dhe në Rinas 49-vjeçari u prezantua se kishte ardhur në Tiranë si turist me partneren e tij.

Prenotimi i biletave për të ardhur në vendin tonë është bërë disa orë para udhëtimit dhe sapo shkelën në tokën shqiptare iu drejtuan banesës që kishin marrë me qira në rrugën “Gjon Muzaka”. Natën e parë ata kanë fjetur në katin e parë të banesës 3-katëshe, dhe më pas me pretendimin se nuk u ka pëlqyer dhoma, më datë 20 kanë qëndruar në katin e tretë të vilës, aty ku ndodhi edhe krimi makabër.

Hetuesit kanë dyshime se vrasja mund të ketë ndodhur më datë 20 ose 21 shkurt, pasi nga kamerat e sigurisë rezulton që në këto dy ditë vajza nuk ka dalë jashtë banesës në asnjë moment, ndërsa më dalë 22 shkurt, në orën 5 të mëngjesit, 49-vjeçari largohet prej andej drejt Rinasit duke udhëtuar në drejtim të Greqisë.

E gjithë ngjarja u zbulua më datë 27 shkurt. Për misterin e vrasjes së 24-vjeçares palestineze kanë shkruar edhe mediat holandeze, sipas të cilave e reja e kishte denoncuar të atin për dhunë, pasi ky i fundit nuk pranonte që e bija bënte një jetë të lirë dhe sipas zakoneve të fesë islame. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos