Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë "arrest në burg" për Edison Tabakun, oficerin e Policisë Gjyqësore, të arrestuar për aferën e korrupsionit ku dyshohet të jenë përfshirë edhe shefi i qarkullimit të Tiranës, Roven Zeka, dhe shefi i hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku.
Tabaku ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, por nuk ka dhënë deklarime më të hollësishme. Ndërkohë, në një njoftim zyrtar, SPAK bëri me dije se aksidenti, për të cilin dyshohet se do të merrej ryshfet nga zyrtarët e policisë, ka ndodhur më 16 prill në kryeqytet, ku nga përplasja e dy automjeteve janë lënduar lehtë 5 vetë.
Sipas hetimit, punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar 2 mijë euro shkaktares së aksidentit, me qëllim mosarrestimin e saj. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër. Bashkëshorti i saj e ka siguruar shumën dhe SPAK ka provuar se ajo i është dorëzuar njërit prej zyrtarëve të policisë, shkruan A2 CNN.
Gjatë kontrolleve të kryera pas ndalimit të tre zyrtarëve të policisë janë sekuestruar edhe shumat 2.5 milionë lekë dhe 26 mijë euro. Të dyshuarit Zeka dhe Novaku pritet të dalin të martën para Gjykatës për masën e sigurisë. (A2 Televizion)