Gati një vit pasi u lirua nga qelitë e burgut, për një dënim të kërkuar nga SPAK, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shkeli pragun e Strukturës së Posaçme. Ndonëse u pa të shoqërohej nga avokati i tij, Maksim Haxhia, që vetëm e orientoi, Tahiri u ngjit i vetëm në brendi të godinës.
Burime pranë institucionit bënë me dije se ish-ministri u paraqit për të dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për llogari të një hetimit pasuror të nisur ndaj tij. Hetimi i nisur disa muaj më parë ka kaluar në filtër disa pasuri të ish-ministrit apo personave të lidhur me të, që janë kallëzuar në SPAK si të pa justifikuara në burime financiare të ligjshme. Për të njëjtën çështje më herët kanë dhënë shpjegime në SPAK persona të lidhur me ish-ministrin, por edhe njerëz të botës së biznesit. Pas më shumë se 2 orësh në SPAK, ish-ministri zgjodhi të mos ndajë detaje.
Saimir Tahiri la qelitë e burgut në 2 qershor të vitit 2023, duke u liruar me kusht 1 vit e 8 muaj para se të përfundonte dënimin me 3 vjet e 4 muaj burg marrë nga Apeli i Posaçëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ai u hetua nga ish-prokuroria për krimet e Rënda prej vitit 2017, si pjesë e grupit kriminal të “Habilajve”, të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali, por në përfundim Shkalla e Parë ndryshoi kualifikimin e veprës penale, duke e gjetur përgjegjës veç për shpërdorim të detyrës.
Vendimi i gjykatës së Elbasanit, që e liroi para kohe për shkak të problemeve shëndetësore të bashkëshortes, e detyron Tahirin që deri në përfundimin e kohës së dënimit të qëndrojë në shtëpi, nga e cila mund të dalë për nevoja të familjes, duke marrë më parë miratim nga Shërbimi i Provës. (A2 Televizion)